5 DESTINACIONET ME TE BUKURA
1. Shpella e Haxhi Aliut
Gjendet pranë Kepit të Gjuhëzës në gadishullin e Karaburunit, pranë vijës së ujit të detit midis Kepit të Gjuhëzës dhe atij të Gollovecit. Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë. Gjatësia e saj është mbi 30 m, gjerësia arrin në 10 – 12 m. Hyrja ka lartësi rreth 15 m dhe po gati kaq është edhe në brendësi. Emri i shpellës lidhet me atë të detarit Haxhi Alia, i cili e përdorte atë si vend strehimi.
Shpella e Haxhi Aliut është vendi më i bukur i PKD K-S. Përveçse një atraksion turistik, kjo shpellë ka një pamje të mahnitshme, si dhe vlera gjeologjike pasi në të gjenden formacione stalaktitesh që janë krijuar gjatë viteve e shekujve.
Aksesohet nga deti me anije/varkë.
2. Gjiri i Grames
Ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor, shumë të thiktë të tij, pranë Orikumit. Gjiri i Gramës ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë kësaj zone bregdetare, në kushte të vështira të motit.
Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet. Mbishkrimet shkëmbore janë të shumta në gjirin e Gramës; aty numërohen më shumë se 1500 mbishkrime. Mbishkrimet greke janë më të lashta dhe u takojne shekujve të fundit para Krishtit, të pasuara nga disa mbishkrime latine të periudhës perandorake, para se greqishtja mesjetare të ishte mbizotëruese me mbishkrime që në të shumtën e herëve i drejtohen Jezu Krishtit. Për këtë arsye, Gjiri i Gramës konsiderohet si “ditari më i pasur shkëmbor” në
Duke qenë një gji shkëmbor, bregu dominohet nga shkëmbinjtë bregdetarë, të pjerrët, që bien vertikalisht në det, si dhe nga plazhe shkëmbore dhe me guralecë. Shtrihet brenda PKD K-S dhe është shpallur "Monument Natyror" për shkak të peizazhit të tij të jashtëzakonshëm.
Peisazhet e çmuara të gjirit janë me rëndësi globale, sepse ato kontribuojnë në balancën ekologjike të vendit dhe sigurojnë habitate për shumë lloje të kërcënuara dhe të rrezikuara globalisht. Shpellat detare janë një ekosistem i jashtëzakonshëm dhe sigurojnë strehim për Fokën e Mesdheut, lloji më i rrallë i fokave në botë.
3. Gjiri i Bristanit
Gjiri i Bristanit është një tjetër mrekulli e të bregdetit shqiptar. Ashtu si shumë plazhe të tjera të fshehta në Gadishullin e Karaburunit, Bristani është vendi i përsosur për ata që janë në kërkim të privatësisë. Ky vend, i cili duhet vizituar, mund te aksesohet si nga deti, ashtu dhe nga toka. Aty arrihet pas nje ecjeje me këmbë prej shtatë orësh nga Llogaraja deri tek gjiri. Plazhi është i sigurt për kamping, por nuk rekomandohet kur fryn erë e fortë. Vizitorët duhet të marrin me vete ushqim, ujë, dhe furnizime të tjera, sepse zona është e izoluar.
Në Gjirin e Bristanit gjendet një ndërtesë e braktisur ushtarake, një bankinë të vogël dhe disa bunkerë në shkëmbinjtë e pjerrët, të cilët ndahen nga kanione që hyjnë thellë në bregt. Në të kaluarën, zona përdorej si një vend i sigurt strehimi për anijet gjatë stuhive. Pranë gjendet një anije tregtare e shkatërruar.
4. Ishulli i Sazanit
Ishulli më i madh në brigjet e Shqipërisë, që ndodhet në një pozicion strategjik, ekologjik dhe social shumë të rëndësishëm të rrugëkëmbimit mes pjesës lindore dhe perëndimore të rajonit të Mesdheut.
Është një vend unik me vlera të jashtëzakonshme të biodiversitetit në nivel kombëtar. Ishulli i Sazanit është përmendur për herë të parë nga Polybius në një episod ushtarak të ndodhur në vitin 215 p.e.s. E kaluara e ishullit përbën një trashëgimi të rëndësishme historike, kulturore dhe ushtarake. Duke pasur parasysh pozicionin e tij midis Detit Adriatik dhe Jon, ishulli ka qenë gjithmonë një pikë strategjike e mbrojtjes ushtarake. Në ishull ekzistojnë strutura ushtarake të shteteve të ndryshme (greke, italiane, gjermane dhe shqiptare) të shekullit të 20-të.
Prania e dy kishave, mbetjet arkeologjike, ndërtesat e vjetra, anijet e mbytura, përdorimi i tokës në të kaluarën, etj. përbëjnë pasuri të tjera të vlefshme për ishullin.
Mund të vizitohet nga deti, me anije që nisen në portin e Vlorës.
5. Shtigjet e zhytjes
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes, PKD K-S ofron shtigje nënujore për të parë boten unike dhe pasuritë nënujore të zonës.
Habitatet kryesore që janë mjaft tërheqëse për aktivitetet e zhytjes me me aparat frymëmarrjeje / bombul oksigjeni (scuba diving) janë:
- Livadhet e Posidonias
- Underwater caves
- “Trotuarët” e formacioneve koralogjene
Këta të fundit arrijnë deri ne 1 metër të gjerë, dhe për shkak të larmisë së tyre konsiderohen si një nga peizazhet detare më tërheqëse për zhytjen.