PARKU KOMBËTAR DETAR KARABURUN-SAZAN Parku Kombëtar Detar (IUCN II) Karaburun–Sazan (PKD K-S),

I pari dhe i vetmi Park Kombëtar Detar në Shqipëri, është shpallur në vitin 2010 (VKM Nr 289, datë 28.04.2010), duke përfshirë një sipërfaqe prej 12.570,82 ha. Shpallja këtij parku ofron një qasje pragmatiste që synon vendosjen e ekuilibrit ndërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjes së burimeve natyrore duke siguruar mbrojtjen afatgjatë dhe mirëmbajtjen e biodiversitetit, teksa ofron në të njëjtën kohë një rrjedhë të qëndrueshme të produkteve natyrore dhe shërbimeve për të mbështetur zhvillimin e komuniteteve bregdetare.

Objektivat kryesore të shpalljes së tij janë:

-Mbrojtja dhe ruajtja e biodiversitetit dhe vlerave të tjera natyrore të zonës në periudhën afatgjatë.

-Promovimi i praktikave të shëndosha të menaxhimit për qëllimet e prodhimit të qëndrueshëm.

-Mbrojtja e burimeve natyrore nga tjetërsimi për qëllime të tjera të përdorimit të tokës që do të ishin të dëmshme për biodiversitetin e zonës.

-Kontributi në zhvillimin rajonal dhe kombëtar.Ky Park Detar përfaqëson një vend shumë të pasur dhe tërheqës në aspektin e atraksioneve të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si në det ashtu dhe në tokë. Ai shpalos një kulturë të pasur tradicionale të jetesës, folklorit, muzikës, artizanatit, gastronomisë, etj. Zona është strehë për të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara dhe/ose të mbrojtura nga disa konventa ndërkombëtare. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në këtë zonë. Megjithëse sektorët kryesorë të ekonomisë që mbështeten në këtë ekosistem janë bujqësia tradicionale, blegtoria dhe peshkimi, turizmi mbetet një nga aktivitetet përdoruese më të rëndësishme të Parkut duke krijuar mundësi ekonomike dhe duke mundësuar një gamë të gjerë të aktiviteteve të turizmit natyror. Ndërkohë që bregdeti është atraksioni kryesor natyror për turizmin diell-det, zona paraqet interes të veçantë edhe për aktivitete specifike turistike si: zhytja, udhëtime turistike, lëvizja/notimi sipas shtigjeve të caktuara, ecja/marrshimi drejt destinacioneve turistike duke lidhur kështu zonën bregdetare me atë të brendshme, etj. Të gjitha këto vlera e bëjnë këtë Park një ndër zonat më potenciale të bregdetit të Shqipërisë si një destinacion turistik në shumë aspekte: mjedisor, rural, natyror, peizazhistik, historik, kulturor, arkeologjik, etj.