• Gjiri i Gramatës

    Gjiri i Gramatës ose siç thirret nga vendasit, gjiri i Gramës ndodhet rrëzë shpatit perëndimor te Karaburunit. Ne një zonë të pabanuar, ku mund të arrihet kryesisht nga deti, (rruga tokësore kalon në një terren malor), gjendet një plazh i vogël natyror, i cili është shfrytëzuar si gurore që nga Shek. IV P.K. Në falezat e thepisura janë gëdhendur mbishkrime të ndryshme nga ekuipazhet e anijeve që kanë kaluar aty. Mbishkrimet datojnë prej shek. III p.k deri në mesjetë.

  • Kisha e Marmiroit

    Kisha e Marmiroit është një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të lagunës. Është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet diku në shek. XII. Kishat me kupolë në formë kryqi janë tipike për komplekset manastirore dhe në fakt, rrënojat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare lënë të kuptohet se aty dikur mund të ketë qënë një manastir. Në fund të bulevardit "Princesha Rugjinë" ndiqet rruga që të çon në rrëzë të kanalit. Deri ketu shkohet me makinë dhe më tej ecet në këmbë

  • Shpella e Haxhi Alisë

    Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Ka formën e një kubeje me gjatësi 30m, lartësi maksimale 18m, gjerësi 12m dhe arrin në 10m thellësi. Nga fundi i shpellës burojnë ujra të ëmbël. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratët e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtarët dhe udhëtarët që kalonin nga ato anë. Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të Kepit i Gjuhëzës. Mënyra më efikase për të vizituar në këtë vënd janë mjetet detare.

  • Kulla e Dervish Aliut

    Në fshatin Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera të rëndësishme historike. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Ndërtesa përfaqëson banesë të tipit Kullë me tipare mbrojtëse nga më të arrirat në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Kulla ndodhet në lagjen Mazo, pranë qëndrës së fshatit Dukat.